Botë e Çuditshme

I zhgënjyer mendoi se dikush tjetër e fitoi lotarinë, burri zbulon se…

Një burrë nga Michigani tha se ishte i zhgënjyer kur pa se dikush kishte fituar çmimin Club Keno The Jack prej 564,219 dollarësh të lotarisë derisa zbuloi se bileta fituese ishte e tija. 45-vjeçari nga Qarku Otsego u tha zyrtarëve të Lotarisë së Michiganit se kishte blerë një biletë Club Keno The Jack nga Gaylord South EZ Mart në South Otsego Avenue në Gaylord. “Unë luaj Club Keno herë pas here, por luaj The Jack vetëm kur shuma kalon 100,000 dollarët. Bleva një biletë dhe kur u ktheva në shtëpi, vendosa që të shkoja diku për të pirë diçka dhe për të parë pjesën tjetër”-tha ai.

Lojtari tha se fillimisht u mërzit kur përdori telefonin e tij për të kontrolluar numrat. “Hyra në aplikacionin e lotarisë për të parë dhe u mërzita kur pashë se dikush kishte fituar. Skanova biletën time për ta kontrolluar dhe u habita kur zbulova se isha fituesi i madh! E vetmja gjë që mendoja ishte se çfarë do të bëj me të gjitha këto para?’ Ishte një ndjenjë e mirë!”-shtoi ai.

Rikujtojmë se qytetarja amerikane nga Virginia, teksa po pastronte shtëpinë e saj, gjeti një kuti me bileta lotarie në dollap dhe njëra prej tyre rezultoi të ishte fituese e çmimit prej 100 mijë dollarësh. Alfreda Hawkins i tha zyrtarëve të Lotarisë së Virginias se po bënte pastrim në shtëpinë e saj në Richmond kur gjeti një kuti në një dollap që përmbante disa bileta lotarie të paprekura.

Ajo zbuloi se njëra prej tyre, nga loja “$100,000 Extreme Cash”, ishte fituese e çmimit të madh prej 100 mijë dollarësh. “Pothuajse rashë pa ndjenja. Ishte e pabesueshme”-tha ajo. Bileta ishte blerë në dyqanin Shop & Go në Mechanicsville Turnpike, në Richmond. Hawkins tha se ende nuk ka ndonjë plan për mënyrën si do t’i përdorë paratë e fituara.