Kryeministri Edi Rama, në Forumin Strategjik të Bledit, përshëndeti propozimin për të pasur një komisioner të përhershëm të zgjerimit për vendet e rajonit.
Kryeministri theksoi rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“U ndjeva i inkurajuar, sepse më në fund dëgjova dikë të thotë atë që e them që ditën e parë. Ishte puna e Putinit. Atij i’u desh të pushtonte një vend për të ndihmuar BE-në të kuptojë që po jeton në një botë paralele. Një vit më parë, këtu në Bled, von der Leyen, premtoi planin e ri të rritjes që tani është vënë në rrugën e duhur. Duhet të bëjmë të gjithë punën për të qenë të gatshëm për të hyrë në BE. Të marrim më shumë instrumente e të hyjmë në më shumë hapësira të BE-së. Është një moment, ku ndihem pozitiv për BE-në”.
Në një moment të diskutimit mbi zgjerimin e BE-së, Rama i ka rikujtuar homologëve të tij se gjatë takimeve të mëparshme në Pragë, kishte kërkuar që të mos përdorej një qasje shumë rigoroze ndaj vendeve të Ballkanit.
“Ua kam thënë pak ditë më parë në Pragë, kur fton njerëz nga Ballkani, mos vini më kronometra sepse është shumë gjermane dhe nuk më pëlqen. E kanë vendosur sllovenët, por edhe ata janë pak gjermanë,” ka thënë Rama, duke i dhënë një ton më të lehtë diskutimeve.