Një gjykatë në Pakistan dënoi me 14 vjet heqje lirie ish-kryeministrin e vendit, i cili tashmë gjendet në burg, Imran Khan, si dhe bashkëshorten e tij, me 7. Ata u shpallën fajtorë për korrupsion, siç njoftuan zyrtarë dhe avokatët e tij. Çifti u akuzua se kur Imran Khan ishte në pushtet, pranoi si dhuratë një sipërfaqe toke nga një biznesmen i pasurive të patundshme, në këmbim të pastrimit të parave.
Prokurorët thanë se më pas, sipërmarrësi Malik Riaz, u lejua nga Khan-i që të paguante për një tjetër rast, po për pastrim parash në shuma të mëdha, 190 milion paund. Paratë e dërguara në Britaninë e Madhe u kthyen në Pakistan nga autoritetet britanike më 2022-shin, për t’u depozituar në Thesarin e Shtetit.
Vazhdimisht, Khan ka mohuar akuzat duke riktheksuar se që nga arrestimi i tij, në vitin 2023, çdo gjë që thuhet për të, përbën komplot nga rivalët, që ta mbajnë larg garave për një post shtetëror. Khan, i cili u bë kryeministër në vitin 2018, u rrëzua nga pushteti përmes një mocioni mosbesimi në Parlament, në prill të vitit 2022.
Më herët është dënuar për akuza për korrupsion, zbulim të sekreteve shtetërore, si dhe shkelje të ligjeve të martesës e në tri vendime të ndara, Imran është dënuar me respektivisht dhjetë, 14 dhe shtatë vjet burg. Sipas ligjit në Pakistan, ai duhet t’i vuajë të gjitha dënimet, që do të thotë se kohëzgjatja e burgimit do të jetë më e gjatë.
72 vjeçari përballet me më shumë se 150 raste penale, edhe pse gëzon popullaritet të madh në mesin e pakistanezëve. Ai dhe partia politike që drejton, Pakistan Tehrik-e Insaf (PTI) thonë se këto raste janë të motivuara politikisht.