Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kanë “filluar një sulm të gjerë shtesë” në kryeqytetin iranian, Teheran.
Ky sulm ka në shënjestër objektiva të regjimit terrorist iranian.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se vranë zv.ministrin e inteligjencës së Iranit për çështjet e Izraelit, bashkë me kreun e Divizionit të spiunazhit në Ministrinë e Inteligjencës e të tjerë zyrtarë të regjimit iranian. Selia e Ministrisë së Inteligjencës në Teheran u godit “pak kohë më parë”.
Të paktën 150 anije kanë ndaluar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, që është një rrugë kritike ujore për transportin global të naftës. Çmimi i naftës Brent, standard global, është rritur deri në 10% një ditë më parë dhe analistët presin ngritje të mëtejshme.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi, i tha bordit të guvernatorëve të organizatës se “nuk ka asnjë tregues se Izraeli dhe Amerika sulmuan objektet bërthamore të Iranit”. Situatën në Lindjen e Mesme, Grossi e përshkroi si “jashtëzakonisht shqetësuese” e bëri thirrje për “përmbajtje maksimale”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vuri në dukje se është e rëndësishme që “mundësia për ndryshim në Iran” të shfrytëzohet siç duhet. Në X, Zelensky shtoi se është e rëndësishme që “vendosmëria” e Amerikës ndaj Iranit të jetë efektive.
Ai iu referua sulmeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-ve e Izraelit në Iran, ku mbeti i vrarë edhe lideri suprem Ali Khamenei.
Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite tha se një “zjarr i kufizuar” në rafinerinë Ras Tanura u vu nën kontroll. Rafineria pësoi “dëme të vogla nga mbetjet që binin”, për shkak të kapjes së “dy dronëve në afërsi të saj”. Flakët u “shuan menjëherë” nga shërbimet e emergjencës e nuk pati të lënduar.
Fotografitë e publikuara dje, treguan dëme të konsiderueshme në bazat e raketave, radarët dhe objektet për avionë në Iran, pas një vale sulmesh ajrore të koordinuara nga SHBA-të e Izraeli.
Disa foto shfaqën edhe kompleksin në Teheran të liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra më 28 shkurt nga goditjet amerikano-izraelite.