Bota

Izraeli: Sulmuam një objekt për prodhimin e centrifugave në Iran!

Për të gjashtën ditë me radhë, Izraeli dhe Irani vazhdojnë sulmet mes tyre, disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i kërkoi Republikës Islamike “dorëzim pa kushte”. Herët në mëngjes, avionët ushtarakë izraelitë goditën kryeqytetin iranian dhe ushtria lëshoi paralajmërime që civilët të largoheshin nga një qark i Teheranit.

Më pas, ushtria raportoi se ka goditur objekte për prodhimin e armëve e një qendër që përdoret për të prodhuar centrifuga në Teheran.

Më shumë se 50 avionë ushtarakë izraelitë kanë kryer një sërë sulmesh në zonën e Teheranit orët e fundit. Si pjesë e përpjekjes më të gjerë për të ndërprerë programin e Teheranit për zhvillimin e armëve bërthamore, u shënjestrua një ndërtesë për prodhimin e centrifugave në kryeqytetin e Republikës Islamike.

Centrifugat janë makneri që përdoren për pasurimin e uraniumit. Shërbejnë për të ndarë izotopet e uraniumit, kryesisht për të rritur përqindjen e uraniumit-235, i cili, nëse arrin nivel të lartë të pastërtisë, mund të përdoret për armë bërthamore.

Gjatë valës së sulmeve, disa ndërtesa për prodhimin e armëve janë goditur, përfshirë objekte për prodhimin e lëndëve të para dhe komponentëve që përdoren për montimin e raketave tokë-tokë.

Po në mëngjes, Republika Islamike raportoi se ka sulmuar me raketa hipersonike Izraelin. Teherani u kërkoi banorëve të Tel Avivit që të përgatiten për një sulm. Garda Revolucionare Islamike pretendoi se ka përdorur raketat hipersonike Fattah-1 për të sulmuar vend-strehime e një qendër tregtare.

Raketat hipersonike fluturojnë pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit dhe mund të manovrojnë gjatë fluturimit, duke i bërë më të vështira për t’u gjurmuar e për t’u rrëzuar. Republika Islamike tha edhe se ka lëshuar dronë drejt Izraelit. Dy prej tyre u rrëzuan mbi zonën e Detit të Vdekur.

Fuqitë perëndimore po përpiqen të shmangin që ky konflikt të shndërrohet në luftë rajonale. Dje në biseda të ndara telefonike me homologun iranian dhe me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff, ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, bëri thirrje për zgjidhje diplomatike.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dje kërkoi nga Republika Islamike të “dorëzohet pa kushte”.

Ne e dimë saktësisht se ku po fshihet i ashtuquajturi “lider suprem”. Ai është një objektiv i lehtë, por është i sigurt aty ku është. Ne nuk do ta vrasim, të paktën tani për tani, shkroi Trump në platformën Truth Social.