Si çdo ditë Live From Tirana diskuton tema të ndryshme të së përditshmes, disa më argëtuese se të tjerat dhe fillim javën e nisëm me grupet e chat-it në Whatsapp që tashmë janë bërë të domosdoshme për të gjithë.
I ftuar në studio ishte moderatori Flavio Qarri i cili ishte totalisht kundër këtyre grupeve madje madje i urren aq shumë saqë edhe një grup të vetëm që ka në Whatsapp-in e tij, i ka bërë ‘mute’ duke mos marrë kështu asnjë njoftim prej tyre.
E kundërta më pas ishte Rudina Xhunga, për të cilën këto grupe janë jetike sidomos ato që krijohen për të folur e menaxhuar punën. Sigurisht, në kohën e pandemisë, pamundësia që të takosh të afërmit ka bërë që Rudina të ketë edhe grupe familjarësh për të shuar mallin, por ama, këto të punës zënë shumë hapësirë gjatë ditës së saj saqë edhe e bija ka disa ankesa.
Alana tashmë është rritur dhe mami Rudina e merr me vete kudo, prandaj për të është e pamundur që të mos ketë disa rezerva për punën e ngarkuar të mamit e cila kalon kaq shumë kohë në telefon. “Prap në telefon duke punuar ti?” -i thotë herë pas here Alana duke i tërhequr vëmendjen dhe Rudina më pas vijon të tregojë një e nga një ankesat e Alanës.
Gazetarja e mirënjohur shton se grupet e punës në Whatsapp janë shumë të rëndësishme por ndonjëherë edhe argëtuese. Sipas saj, këto grupe jo vetëm që shërbejnë për të vënë në vijë punët e përditshme të emisionit, por gjithashtu janë shumë praktike për realizimin e disa detyrave. Megjithatë, në këto grupe chat-i nuk jep kurrë vendime zyrtare.