Aktualitet

Ja lista përfundimtare e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese!

Gjykata e Lartë sot shpalli listën përfundimtare të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese. Më 11 dhjetor 2024, kryetari i kësaj gjykate bëri shpalljen publike për hapjen e procedurës së aplikimit për zgjedhjen me mandat të plotë nga Gjykata e Lartë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, në vendin vakant të krijuar si rezultat i mbarimit të mandatit të Holta Zaçaj.

Pas përfundimit të afatit 30-ditor të pranimit të kërkesave, për plotësimin e vakancës kanë paraqitur interes 13 kandidatë, konkretisht:

1. Alban Toro
2. Alma Faskaj
3. Asim Vokshi
4. Denar Biba
5. Florjan Ballhysa
6. Genta Tafa
7. Irena Nino
8. Klodian Rado
9. Lulzim Hamitaj
10. Naureda Llagami
11. Nurihan Meta
12. Rezana Balla
13. Sinan Tafaj

Bazuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, lista e kandidatëve, si dhe dokumentacioni i paraqitur prej tyre i është dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë.

Lista me emrat e kandidatëve është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, me qëllim që institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, të mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Po ashtu, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi njoftoi thirrjen e mbledhjes së parë konstitutive të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025 më datë 15 janar, ora 13:00, pranë Gjykatës së Lartë.

Në këtë mbledhje do të hidhet shorti për caktimin e këshilltarëve ligjorë të Gjykatës së Lartë në ndihmë të relatorëve të caktuar për shqyrtimin e kandidatëve që kanë aplikuar për 2 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Në rendin e ditës së kësaj mbledhje veç njohjes me raportin vjetor për veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi 2024, do të hidhet shorti edhe për zëvendësimin e relatorit të KED 2024 me relatorin e ri të KED 2025, për vendin vakant të shpallur nga organi i emërtesës Kuvendi i Shqipërisë, me datë 30 shtator 2024.

Po ashtu do të hidhet shorti për caktimin e relatorit për vendin vakant të shpallur nga organi i emërtesës Gjykata e Lartë, me datë 11 dhjetor 2024.