Aktori britanik James Nelson-Joyce, i njohur për rolet e tij në serialet “This City Is Ours”, “The Nest” dhe “Time”, ka folur me sinqeritet e humor për mundësinë që të jetë James Bond-i i ardhshëm.
Gjatë një interviste në podcastin e ri të futbollit të “The Mail”, “Whistleblowers”, Nelson-Joyce nuk e fshehu aspak dëshirën e tij për të marrë rolin legjendar.
Do të doja shumë të isha James Bond. Nuk jam një nga ata aktorë që thonë: ‘Nuk e di’. Po, e dua atë rol. Por është një nivel tjetër. Një botë tjetër
-u shpreh aktori përballë prezantuesve Gordon Smart, ish-gjyqtarit Mark Clattenburg dhe redaktorit të “Mail Football”, Ian Ladyman.
Që pas largimit të Daniel Craig nga roli i agjentit 007, shumë emra britanikë janë përfolur si pasues të tij.
Sipas DailyMail, Nelson-Joyce është kthyer në një pretendent surprizë, madje agjencitë e basteve i japin atij një shans 6/1 për ta fituar rolin. Filmi i ardhshëm i Bond pritet të dalë në vitin 2026, tashmë nën drejtimin e Amazon.
I pyetur nëse do t’i sillte një “tingull të Merseyside” Bond-it, aktori nga Liverpooli qeshi dhe tha:
Po, pikërisht këtë do të bëja
-duke interpretuar disa nga frazat ikonike të Bond-it me theks lokal – një moment që shkaktoi të qeshura të shumta në studio.
Përveç ëndrrës për të qenë agjenti sekret më i famshëm në botë, Nelson-Joyce ka edhe një tjetër objektiv artistik: të interpretojë legjendën e futbollit George Best.
Jam i çmendur pas futbollit dhe ai ishte një figurë e jashtëzakonshme. Ka një histori të madhe që pret të tregohet – mjafton të gjejmë shkrimtarin e duhur
Podcasti “Whistleblowers”, i realizuar nga “The Mail” në bashkëpunim me Wickes TradePro, sjell rrëfime të fshehta nga bota e futbollit, që nga dhomat e gjyqtarëve deri te kulisat e klubeve, përmes zërave që e njohin lojën nga brenda.