Kategoria e Parë, ose thënë ndryshe niveli i dytë i futbollit në Shqipëri zhvilloi këtë të shtunë gjashtë ndeshjet e raundit të parafundit (java 32). Pogradeci dhe Skënderbeu barazuan 1-1 në derbi, teksa Laçi përmbysi 2-1 Kukësin. Si Skënderbeu dhe Laçi e kanë siguruar një vend në Superligë për sezonin e ri, por gara mes tyre është për titullin kampion të Kategorisë së Parë.
Në ndeshjet e tjera të javës, AF Luftëtari fitoi 1-2 në transfertë ndaj Kastriotit, ndërsa Iliria triumfoi 2-1 përballë Apolonisë. Burreli siguroi tri pikë të rëndësishme pas fitores minimale 1-0 ndaj Lushnjes, ndërsa sfida mes Besës dhe Korabit u mbyll në barazim 1-1.
Raundi i fundit (33) ka rezervuar sfidën direkte mes Skënderbeut dhe Laçit në Korçë, duel që do të vendos se cili ekip do të ngrejë trofeun, pasi korçarët kanë vetëm një pikë më shumë se kurbinasit.
Ndërkohë gara vijon e fortë në fundin e renditjes. Me humbjet e sotme, Apolonia dhe Lushnja janë drejt rrëzimit në Kategorinë e Dytë, edhe pse matamatika ende nuk e ka thënë fjalën e saj. Rrezikon edhe Kukësi, ndërsa matematikisht AF Luftëtari do garojë në play-out.
Pogradeci dhe Iliria e kanë siguruar një vend në zonën play-off, ndërsa dy ekipet e tjera do mësohen pas ndeshjeve të fundit të këtij sezoni.
Kategoria e Parë, raundi i 32-të:
E shtunë, 25 prill 2026
Besa 1-1 Korabi
Burreli 1-0 Lushnja
Iliria 2-1 Apolonia
Kastrioti 1-2 AF Luftëtari
Laçi 2-1 Kukësi
Pogradeci 1-1 Skënderbeu
LEXO EDHE: Sot derbi numër 212-të në histori mes KF Tiranës dhe Partizanit, ja statistikat!
