Food & Drink Lifestyle

Jo dieta ekstreme! Ky përbërës i thjeshtë po rezulton kyç për humbjen e peshës…

Kur flitet për dobësimin, shumica e njerëzve mendojnë menjëherë për dieta të rrepta dhe kufizime të ashpra ushqimore. Por sipas specialistëve të ushqyerjes, një element thelbësor po rikthehet në qendër të vëmendjes dhe shpesh neglizhohet: fibra dietike.

Ekspertët theksojnë se fibra nuk ndikon vetëm në përmirësimin e tretjes, por ka një rol të drejtpërdrejtë në kontrollin e oreksit dhe menaxhimin e peshës trupore. Ushqimet e pasura me fibra ndihmojnë trupin të ndihet i ngopur për më gjatë, duke ulur dëshirën për të ngrënë shpesh ose në sasi të mëdha gjatë ditës.

Dietologët shpjegojnë se fibra ngadalëson procesin e tretjes dhe stabilizon nivelet e sheqerit në gjak, çka redukton ndjeshëm krizat e urisë dhe dëshirën për ushqime të pashëndetshme.

Kjo e bën humbjen e peshës më të qëndrueshme dhe më natyrale, pa pasur nevojë për numërim të vazhdueshëm të kalorive.

Përfitimet nuk ndalen këtu. Fibra ndihmon në shëndetin e zorrëve, përmirëson metabolizmin dhe kontribuon në uljen e kolesterolit, faktorë që lidhen ngushtë me mirëqenien dhe kontrollin e peshës trupore. Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se shumë njerëz ende nuk marrin sasinë e rekomanduar ditore të fibrës.

Frutat, perimet, drithërat integrale dhe bishtajoret janë burime të shkëlqyera të fibrës, ndërsa rekomandohet që fokusi të jetë te ushqimet e plota dhe jo te suplementet.

Shtimi gradual i tyre në dietën e përditshme mund të sjellë ndryshime të dukshme në mënyrën si trupi reagon ndaj ushqimit dhe në procesin e dobësimit.