Në prag të Krishtlindjes, Justin Bieber ka prekur ndjekësit me një rrëfim të sinqertë dhe emocional, duke folur hapur për presionin, dhimbjen dhe rrugën e tij drejt shërimit.
Në një postim në rrjetet sociale, këngëtari ndau disa shënime personale të titulluara “Një Mesazh”, ku pranon se është formësuar nga një sistem që shpesh merrte më shumë sesa mbronte.
Bieber rrëfen se ka pasur momente kur është ndjerë i shfrytëzuar dhe i nxitur drejt një rruge që nuk e kishte zgjedhur plotësisht vetë, duke theksuar se këto përvoja lënë plagë të padukshme për publikun, por shumë të thella për artistin.
Ai pranon se ka mbajtur brenda zemërim dhe i është drejtuar Zotit me pyetjen “pse”, por besimi e ka ndihmuar të mos kthehet në hidhërim.
Sot, këngëtari shprehet se ndihet më i shëruar dhe në një proces faljeje, duke theksuar se qëllimi i tij nuk është të sulmojë industrinë e muzikës, por të shohë një ndryshim të saj, më të ndershëm, më të sigurt dhe më njerëzor.