Gjigandi i muzikës live Live Nation është përballur me një goditje të fortë pasi planet për rikthimin në Europë të Kanye West dështuan në momentet e fundit.
Autoritetet britanike i ndaluan hyrjen artistit në Mbretëria e Bashkuar, duke çuar në anulimin e festivalit Wireless Festival në Londër.
Vendimi u mor nga Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa ministrja Shabana Mahmood deklaroi se prania e artistit “nuk ishte në interes të publikut”.
Pas këtij njoftimi, organizatorët konfirmuan anulimin e eventit tre-ditor dhe hoqën menjëherë materialet promovuese nga platformat online.
Reagimet kanë qenë të shumta. Kryeministri Keir Starmer mbështeti vendimin, duke theksuar se artisti nuk duhej të ishte ftuar që në fillim, ndërsa Campaign Against Antisemitism e cilësoi ndalimin si të drejtë.
Sipas burimeve, Live Nation kishte investuar miliona për rikthimin e Kanye West në Europë, duke planifikuar një seri koncertesh dhe duke i ofruar rreth 11 milionë paund për tre net performancë.
Megjithatë, paralajmërimet për reagime negative publike duket se u injoruan.
Anulimi i festivalit pritet të sjellë humbje të mëdha financiare, që mund të arrijnë deri në 30 milionë dollarë, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e këtij eventi.
Edhe pse Kanye West, i njohur tashmë si Ye, kishte kërkuar falje më herët për deklarata të diskutueshme, rikthimi i tij në skenën britanike pas 11 vitesh nuk do të ndodhë, duke lënë pas zhgënjim te fansat dhe debat në industrinë muzikore.