Prokurorët në Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar gjykatës të dënojë bashkëshorten e narkotrafikantit të njohur meksikan “El Chapo” me 4 vjet burg pasi pranoi fajësinë për shpërndarje narkotikësh dhe pastrim parash. Sipas prokurorëve, ish-mbretëresha e bukurisë, Emma Coronel Aispuro, e cila u martua me Joaquin “El Chapo” Guzman Loera në moshën 17-vjeçare, duhet të humbasë gjithashtu 1.5 milionë dollarë që dyshohet se i ka krijuar nga aktivitetet e saj kriminale.

Si pjesë e marrëveshjes me prokurorët, Coronel Aispuro pranoi gjithashtu se vepronte si korriere midis Guzman dhe anëtarëve të tjerë të kartelit Sinaloa, ndërsa ai mbahej në burgun Altiplano të Meksikës pas një arrestimi në vitin 2014.

31-vjeçarja u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar “Dulles” në Virxhinia dhe u akuzua se ka ndihmuar bashkëshortin e saj për të drejtuar kartelin famëkeq të Sinaloas. Zyrtarët e FBI-së thanë se Coronel ndihmoi për të shpërndarë kokainë dhe në planifikimin e arratisjes së burrit të saj nga një burg meksikan në 2015.
Rikujtojmë, se bosi famëkeq i karteleve të drogës, Joaquin El Chapo Guzman është shpallur fajtor për 10 akuza për trafik droge në përfundim të gjyqit tre mujor në Nju Jork, ku pati dëshmi dramatike të arratisjeve nga burgu, vrasjeve mizore dhe ryshfeteve miliona dollarë për politikën. 64-vjeçari nuk tregoi asnjë emocion ndërsa lexohej vendimi i jurisë. Anëtarët e saj kaluan 6 ditë duke vlerësuar provat kundër Guzman, përfshirë edhe dëshmitë e më shumë se 50 dëshmitarëve.