Showbiz

Komentuesit Serbë ‘sulmojnë’ profilin e Dua Lipas, këngëtarja reagon me anë të një deklarate

Dua Lipa ishte një ndër të parat që ju bashkua peticionit online drejtuar “Apple” për të vendosur në hartë Kosovën si shtet i pavarur. Pas kësaj, këngëtarja postoi edhe flamurin autokton ku shpjegonte edhe kuptimin e kësaj fjale, gjë që nuk u prit aspak mirë nga përdoruesit Serbë.

Në pak orë drejt 24-vjeçares erdhën komente ofenduese, të ashpra dhe ato ku shkruhej se Kosova është dhe do të jetë gjithmonë Serbi. Pas 2 ditësh heshtje, Dua ka reaguar nëpërmjet një deklarate online ku thekson se nuk ishte aspak qëllimi i saj që të nxiste urrejtje.

“Postimi i mëparshëm nuk kishte asnjë qëllim për nxitje urrejtjeje. Më trishton dhe nervozon fakti që postimi im është keqinterpretuar qëllimisht nga disa grupe dhe individë që promovojnë ndarjen etnike, ç’ka unë rreptësisht e refuzoj.

Sa herë që postoj për Kosovën, profili im çmendet, edhe në rast se unë publikoj diçka të gëzueshme lidhur me ushqimin apo muzikën dhe më është dashur të përballem me një rezistencë kundrejt kulturës kosovare. Të gjithë kemi nevojë të ndihemi krenarë për etneticitetin dhe vendin nga vijmë. Unë dëshiroj vetëm që vendi im të përfaqësohet në një hartë dhe të mundem të flas me krenari dhe lumturi për rrënjët e mia, e origjinën e tokës mëmë. I inkurajoj të gjithë të përqafojnë trashëgiminë e tyre dhe të dëgjojnë e mësojnë nga të tjerët.

Paqe, dashuri dhe respekt për të gjithë” -shkroi ajo në postimin e bërë në Instagram ndërkohë që komentet sulmuesve ende vazhdojnë.