Aktualitet

Komiteti Teknik i Ekspertëve heq kufizimet për grumbullimet!

Në mbledhjen e sotme, Komiteti Teknik i Ekspertëve publikoi të dhënat më të fundit sa i përket situatës së pandemisë koronavirus në vendin tonë. Në vijim të lehtësimit të mëtejshëm të masave, u vendos heqja e kufizimeve sa i përket numrit të lejuar të personave që mund të grumbullohen. Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli apeloi për më shumë vaksinime, për të patur një vjeshtë të qetë dhe deklaroi:

Komiteti i Ekspertëve vendosi të heqë kufizimin e numrit të personave deri në 50 në grumbullime dhe të mbushjes së kapaciteteve deri në 30% të hapësirave ku zhvillohen këto aktivitete.

Mbeten në fuqi këto masa: të gjithë qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte: të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të ketë të paktën dy javë, të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve, të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit, përjashtimi nga ky rregull është vetëm për fëmijët deri në 6 vjeç.

Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritjeje në masën 5 mijë lekë.Për punonjësit e administratës vijon të jetë në fuqi paraqitja e dokumentit të vaksinimit ose certifikata së kalimit të sëmundjes e vlefshme deri në 6 muaj pas ditës së shërimit.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, tha se mbulesa vaksinale në rang kombëtar është 49%.

Mbulesa vaksinale është 49% me një dozë, me dy doza 45%. Të vaksinohen pasi sezoni vijon akoma dhe përgatitemi për sezonin e vjeshtës 2022.

Ndërkohë, mjekja infeksioniste Najada Çomo vuri në dukje se ka një ulje të numri të të shtruarve në spital.

Për herë të parë mbizotëron numri i të shëruarve krahasuar me të të shtruarve. Eshtë ulur numri i personave që kanë ndërruar jetë. Vazhdoni të vaksinoheni, pasi është një formë për shmangur sëmundjen.

Italia i dha fund gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur dy vjet më parë për shkak të pandemisë koronavirus. Gjithashtu, Zvicra hoqi kufizimet e fundit.