Food & Drink Health & Beauty

Konsumimi i këtij fruti përmirëson humorin brenda vetëm 4 ditësh?

Kivi nuk është vetëm një frut i freskët e i shijshëm, por edhe një “ilaç” natyral për mirëqenien mendore. Një studim i publikuar në “British Journal of Nutrition” ka treguar se konsumimi i këtij fruti të gjelbër mund të përmirësojë humorin dhe energjinë brenda vetëm katër ditësh.

Hulumtimi u zhvillua nga Universiteti i Otagos në Zelandën e Re dhe përfshiu 155 të rritur me nivele të ulëta të vitaminës C. Pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe: disa morën suplemente me vitaminë C, disa një placebo, ndërsa të tjerët konsumuan dy kivi çdo ditë për një periudhë 8-javore.

Gjatë eksperimentit, të gjithë pjesëmarrësit raportuan për humorin, gjumin, vitalitetin dhe aktivitetin fizik përmes një sondazhi në celular.

Rezultatet ishin të qarta: grupi që konsumoi kivi përjetoi përmirësime në humor dhe energji pas vetëm 4 ditësh, ndërsa efektet arritën kulmin brenda dy javëve.

Ndërkohë, suplementet e vitaminës C patën ndikim më të ngadaltë, duke dhënë rezultat rreth ditës së 12-të.

Përtej ndikimit pozitiv në humor, kivi është i njohur edhe për përfitime të tjera shëndetësore.

Ai ndihmon tretjen, përmirëson përthithjen e hekurit, mbron sistemin imunitar, kontribuon në shëndetin e lëkurës dhe është një burim natyral i acidit folik – i rëndësishëm sidomos për gratë shtatzëna.

Sipas studiuesve, ky zbulim nënvizon fuqinë e ushqimeve të freskëta në përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik, duke treguar se një dietë e ekuilibruar shpeshherë mund të jetë më efektive se suplementet e përpunuara.