Aktualitet

Korçë, rrëzohet helikopteri, nuk ka viktima

Helikopteri i një shoqërie private bëri ulje të detyruar në mes të një lagjeje në Korçë, pasi pësoi dëmtime nga përplasja me një pemë.  Fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz, por vetëm materiale. Mjeti fluturues ishte prenotuar për një dasmë në qytetin juglindor dhe piloti po shkonte të merrte nusen. Gjatë uljes në një shesh në mes të pallateve, pjesa e bishtit preku në një pemë e një nga helikat e tij, që komandojnë drejtimin e helikopterit, u këput. Më pas, ndodhi rrëzimi nga pak metra lartësi, duke thyer një nga rrotat. Menjëherë, në zonë u dërgua një makinë zjarr-fikëse për shkak se në zonën e rrëzimit gjendet një pikë karburanti, por fatmirësisht nuk pati zjarr. Në Shqipëri, gjithmonë e më shumë po tentohet të shfaqen mënyra ekstravagante në dasma, sikurse është dhe rasti i marrjes së nuses me helikopter.