Bota

Koreja e Veriut rikonfirmon mbështetjen ndaj Rusisë, kundër Ukrainës!

Lideri komunist, Kim Jong Un, tha se Koreja e Veriut e “mbështet plotësisht” ushtrinë e Rusisë, siç u shpreh, si një “detyrim vëllazëror”. Presidenti rus, Vladimir Putin, i vuri në dukje se të dy shtetet kanë raporte “speciale”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve të Phenianit, KCNA.

Kim dhe Putin u takuan në Pekin, në kuadër të festimeve në Kinë që u organizuan për të shënuar dorëzimin e Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, 80 vjet më parë.

Dy udhëheqësit u ftuan nga presidenti kinez, Xi Jinping, për të marrë pjesë në një paradë masive ushtarake. Nga koha e Luftës së Ftohtë, kjo ishte hera e parë që drejtuesit e të tri shteteve morën pjesë në një organizim të tillë.

Shoku Kim Jong Un dhe presidenti Putin shkëmbyen opinione të hapura mbi çështje të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale, raportoi KCNA-ja.

Shefi i Kremlinit “çmoi lart” ushtarët e Koresë së Veriut që po luftojnë kundër Ukrainës dhe tha se dy shtetet kanë raporte “të posaçme të besimit, miqësisë e aleancës”, deklaroi KCNA-ja.

Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë, municione për artileri e raketa në Rusi, për të mbështetur Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës e që vijon prej mbi 3 vitesh e gjysmë. Këtë javë, Inteligjenca e Koresë së Jugut raportoi se rreth 2 mijë trupa të Veriut, të dërguar për të luftuar për Rusinë, kanë mbetur të vrarë.

Seuli zyrtar beson se Pheniani planifikon të dislokojë edhe 6 mijë trupa shtesë, ndërsa afro 1 mijë ushtarë gjenden në Rusi. Kim dhe Putin, po sipas KCNA-së, biseduan që të rrisin bashkëpunimin mes dy shteteve.

Pas bisedës dhe largimit nga dhoma ku u mbajt takimi, një punonjës i Kimit u pa duke pastruar një karrige dhe një tavolinë që ishin prekur nga lideri. Analistët vlerësojnë se veprime të tilla janë pjesë e masave të sigurisë për të parandaluar që vendet e tjera, edhe ato mike, të përpiqen të mbledhin informacione për shëndetin e udhëheqësit komunist të Koresë së Veriut.

Vitin e kaluar, Putin dhe Kim nënshkruan një traktat për mbrojtje të ndërsjellë, që secila palë t’i dalë në ndihmë tjetrës në rast të një sulmi të armatosur.