Rajoni

Kosova cakton marzhet e shitjes me shumicë dhe pakicë të naftës!

Në Kosovë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mori vendim për rregullimin e çmimeve dhe vendosjen e masave mbrojtëse sa i përket produkteve të naftës së përdorshme për transport, pasi në tregun botëror çmimet e naftës shënuan rënie. Ministrja Rozeta Hajdari firmosi vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës në tregun vendor, duke vënë masa mbrojtëse për konsumatorët e për të garantuar konkurrencë të ndershme.

Sipas këtij vendimi, përcaktohet:

– marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë në dy (2) eurocentë për litër dhe

– marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë në dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.

Ministrja Hajdari theksoi se ky vendim është rezultat i monitorimit të vazhdueshëm të tregut të produkteve të naftës. Sipas saj, është vërejtur se ndryshimet e çmimeve të importit reflektohen shpejt në ngritje të çmimeve në tregun e brendshëm, por jo edhe në rastet kur çmimet e importit bien.

Ky vendim ka për qëllim të parandalojë praktikat e padrejta dhe të ruajë transparencën dhe balancën në treg. Për zbatimin e vendimit do të ketë mbikëqyrje të shtuar inspektuese, paraqitje të rasteve të dyshimta tek Autoriteti i Konkurrencës, si dhe bashkëpunim të ngushtë me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të konkurrencës së ndershme, mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe krijimit të kushteve të barabarta për të gjithë operatorët në tregun e produkteve të naftës në Kosovë.

Tarifat e presidentit Trump pritet të ulin çmimin e naftës në nivel global. Lidhur me këtë ka folur edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani:

Një litër naftë nuk do të paguhet 1.21 cent. Litri i naftës ka gjasë të bie në 1 euro. Edhe benzina do të paguhet më pak se 1.31 cent për litër. Nuk dihet sa do të jetë, por çmimi do të bjerë për shkak të tarifave të vendosura nga presidenti Donald Trump. Bazuar në standardin kosovar, 1 euro për litër do të ishte ideal, por kjo varet nga bursa ndërkombëtare. Institucionet kosovare duhet të jenë të gatshme për t’iu përshtatur çdo ndryshimi në arenën ndërkombëtare.

Çmimet e naftës ranë ndjeshëm gjatë fundjavës, duke arritur nivelet më të ulëta që nga 2021-shi, për shkak të shqetësimeve në rritje se lufta tregtare do të dëmtojë rëndë ekonominë globale. Nafta amerikane ra me 8%, duke arritur në 61.92 dollarë për fuçi në tregtinë e fundit. Kjo rënie vjen pas një tkurrjeje prej 6.6% të enjten, e shkaktuar nga shqetësimet për tarifat dhe një rritje të papritur të prodhimit nga OPEC+. Të premten e kaluar, çmimi i naftës bruto ra deri në 60.81 dollarë për fuçi, niveli më i ulët brenda ditës që nga prilli 2021.