Rajoni

Kosovë, deputetët mblidhen sot për të tentuar të konstituojnë Kuvendin!

Deputetët mblidhen sot për të vazhduar seancën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, në një tjetër përpjekje që të zgjedhin kryeparlamentarin dhe për të dalë nga ngërçi i tejzgjatur politik. Seanca që pritet të nisë në orën 11:00 duket se do të vijojë aty ku u ndërpre dy ditë më parë, në pikën e tretë të rendit të ditës e që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Vetëm pas emërimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve kompletohet konstituimi i Parlamentit, si dhe hapet rruga për formimin e një qeverie të re. Kjo do të jetë hera e katërt që deputetët mblidhen për të konstituuar Kuvendit që nga publikimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht. Dokumenti urdhëron deputetët që të formojnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.

Në tri seancat e kaluara, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, të cilës i takon të propozojë kandidat për kryeparlamentar, hodhi për votim emrat e pesë kandidatëve, por asnjëri prej tyre nuk mori të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci, Donika Gërvalla, Dimal Basha, nuk ia dolën që të merrnin më shumë se 57 vota.

Vetëvendosje ka 48 vende në Kuvend e që nuk janë të mjaftueshme për të zgjedhur kryeparlamentarin pa ndihmën e partive kundërshtare. Nuk është e qartë nëse ka vullnet nga partitë e tjera për të votuar ndonjërin prej kandidatëve të Vetëvendosjes në takimin e sotëm.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, dy ditë më parë, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, tha se nuk e përjashton mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet brenda 30-ditësh dhe Gjykata Kushtetuese të vihet sërish në lëvizje sipas procedurës së parashikuar kushtetuese e ligjore.

Seanca e konstituimit nisi më 15 prill, por deri më tani nuk është përmbyllur për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike mes partive politike. Asnjë forcë politike nuk fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. Kur kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, dështoi disa herë që të zgjidhej në krye të organit ligjvënës në gjashtë votime të hapura, më 1 maj u ndryshua rendi i ditës.