Edhe në përpjekjen e fundit, rreth 8 orë pas asaj parapake, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dështuan në përpjekjen për ta konstituuar parlamentin. Tani që u mbyll afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë veprim apo vendim drejt konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht, sipas vendimit të 24 korrikut të Gjykatës Kushtetuese.
Ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur më 9 shkurt të këtij viti dhe çfarë duhet të ndodhë më tej.
Para seancës, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, konfirmoi se ishte me takuar presidenten Vjosa Osmani, por pa arritur ndonjë marrëveshje.
Epilogu i seancës së 54-rt rezultoi i njëjtë si i atyre paraprake: kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga LVV-ja, iu kërkoi Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të propozonin nga një kandidat për të themeluar komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Këto parti nuk dhanë propozime dhe nuk pati kuorum për formimin e këtij komisioni, duke dështuar kështu konsituimi i Kuvendit. Lëvizjes Vetëvendosje do t’i kishin mjaftuar votat e tre deputetëve të Nismës Socialdemokrateve dhe deputetëve të minoriteve, pa ato të Listës Serbe, për 61-shin e nevojshëm.
Pak para seancës, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, shkroi në Facebook se atyre “iu duhen votat, por jo me çdo kusht dhe jo nga e me bindjen e ndokujt që i duket se ‘i erdhi dita’”.
Pas seancës, Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, ministër në detyrë i Financave tha se nuk mund ta parashikojë se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese, por se rrugëdalja është bllokuar nga partitë e tjera.
Atë që nuk ua dhanë qytetarët përmes votës, po tentojnë ta grabisin përmes këtyre manovrave.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi:
Kosova tani nuk ka më një shtet funksional sepse Kosova nuk ka më zë sepse një qeveri e papërgjegjshme ua ka mbullur gojën jo vetëm insitucioneve, por edhe aleancave, duke iu referuar partnerëve ndërkombëtarë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi kryesuesin e seancës, Avni Deharin, për mënyrën se si e drejtoi seancën e konstituimit gjatë kësaj kohe.