Rajoni

Kosovë, lokalizohet zjarri në Golesh!

Në Kosovën qendrore, zjarrfikësit arritën të lokalizojnë zjarrin në malin e Goleshit ku  flakët ranë një ditë më parë dhe ende nuk dihet shkaku. Por këtë javë, Kosova është përballur me temperatura të larta, deri në 37 gradë celsius. Nuk ka raportime për të lënduar dhe ende nuk është bërë vlerësimi i dëmeve nga zjarri. Komuna e Drenasit njoftoi:

Sot, zjarrfikësit janë në vijën e parë të përballjes me flakët që kanë përfshirë disa zona të Komunës sonë. Ata kanë arritur të lokalizojnë zjarrin në Sankoc (Golesh), ndërsa në Gjurgjicë, në bashkëpunim me qytetarët e mobilizuar, po mbahet zjarri nën kontroll.

Në ndihmë të zjarrfikësve tanë në Golesh, kanë arritur edhe zjarrfikësit nga Prishtina, duke forcuar përpjekjet për të përballuar situatën dhe shmangur përhapjen e mëtejme të zjarrit.

Angazhimi, guximi dhe përkushtimi i tyre janë shembull frymëzimi. Në temperatura të larta dhe kushte të vështira, ata po mbrojnë jetën dhe pronën me vendosmëri të jashtëzakonshme.

I falënderojmë zjarrfikësit për punën vetëmohuese dhe ftojmë të gjithë qytetarët për kujdes të shtuar, si vijon:

Të shmangin ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura;

Të raportojnë menjëherë çdo rast të zjarrit në numrat emergjentë;

Të ndihmojnë në mënyrë të sigurt dhe të koordinohen me ekipet në terren, kurdo që është e mundur.

Kujdesi ynë parandalon rrezikun – bashkë e mbrojmë mjedisin dhe njëri-tjetrin!

Në muajin mars, Kosova u përball me 294 zjarre brenda tri ditëve, sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME) të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjendja përshkruhej si jashtë “normales”, me shumicën e zjarreve që dyshohej se ishin shkaktuar “nga dora e njeriut”.

Vitin e kaluar, në Kosovë u regjistruan 94 zjarre, duke djegur gjithsej 12 mijë e 79 hektarë pyje dhe shkurre, sipas informacioneve të Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje. Një zjarr i madh që vijoi për rreth 10 ditë në Prevallë të Kosovës së jugut, njohur edhe si vendpushim për skijim e fshat turistik, dëmtoi sipërfaqe të mëdha malore.

Shuarja e zjarrit në këtë fshat turistik të Kosovës u bë e mundur vetëm me ndërhyrjen nga ajri. Helikopterët e KFOR-it dhanë ndihmesë.