Në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi mbi 70 mijë aplikime për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Për Radion Evropa e Lirë, lajmin e konfirmoi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas të dhënave preliminare, gjatë periudhës 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor) përmes platformës elektronike të KQZ-së, janë pranuar mbi 84.700 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar rreth 71.900 ndërkaq janë refuzuar rreth 6.700. Në vlerësim e sipër janë rreth 5.900 aplikime.
Elezi shtoi:
Pjesa më e madhe e votuesve janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 51.000 sosh, për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2.500 të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Rreth 18 mijë shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, për herë të parë, Kosova organizoi votimin fizik në përfaqësitë diplomatike: përkatësisht në 16 ambasada e 14 konsullata në 19 shtete të ndryshme të botës.
Zgjedhjet e parakohshme mbahen pasi për partitë politike të Kosovës nuk ishte e mundur të arrinin konsensus për të ecur përpara, pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, meqë asnjë subjekt nuk arriti t’i siguronte numrat e nevojshëm për të qeverisur i vetëm.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para dhe fitoi 48 vende në Kuvend, duke lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me 24, Lidhjen Demokratike të Kosovës me 20, Listën Serbe me 9 dhe koalicionin mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 vende. Të tjerat ishin të rezervuara për pakicat.
Disa parti ishin në favor të caktimit të 28 dhjetorit si datë për zgjedhje, me arsyetimin se shumë shtetas të Kosovës nga diaspora kthehen në vendlindje në kohën e festave. Në mesin e tyre ka qenë Lëvizja Vetëvendosje, që ka fituar shumicën e votave të Diasporës, më 9 shkurt.
Të tjera parti kanë përmendur problemet që ndoshta dalin me monitorimin e procesit më 28 dhjetor, pasi një pjesë e vëzhguesve ndërkombëtarë mund të mos jenë të angazhuar, duke marrë parasysh që një pjesë e madhe e botës është në periudhë pushimesh.
Megjithatë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e arsyetoi vendimin e saj, duke thënë se KQZ-së i është dashur kohë për t’u përgatitur, meqë vendi mbajti edhe dy procese zgjedhore në tetor e nëntor, dy raunde të zgjedhjeve lokale.