Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok – më 5 dhjetor do të mbahen seancat konstituive në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe do të marrin përsëri pushtetin.
Këto komuna me shumicë serbe janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kishte pranuar se kishte gabuar kur ishte larguar nga institucionet dhe kishte theksuar se ky vendim ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha më 3 dhjetor se kryetarët e rinj të komunave – Millan Radojeviç në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiç në Leposaviç, Dragisha Milloviç në Zveçan dhe Millosh Peroviç në Zubin Potok – pas marrjes së detyrës do të kërkojnë të kenë qasje në dokumentacionin e plotë.
Lista Serbe, gjithashtu, më parë kishte njoftuar se do të anulonte vendimet “jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë të komunave në veri.
Pas zgjedhjeve lokale të tetorit, Bashkimi Evropian kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pret që pushteti i ri lokal në veri të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet qendrore, në periudhën e ardhshme do të “qëndrojë konstruktiv në zgjidhjen e nevojave dhe kërkesave të popullatës përmes institucioneve dhe në përputhje me ligjet”.
Ligji për vetëqeverisjen lokale parashikon se për çdo vendim ose akt tjetër i komunës që nuk përputhet me Kushtetutën dhe ligjet mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ose institucioni tjetër përgjegjës i Qeverisë së Kosovës.