Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, siguron se nuk ka dialog teknik me Serbinë. Në një postim në “FB”, Hoti shkruan se “Ka dialog vetëm për marrëveshjen finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”. Shefi i qeverisë reagoi pas kritikave që pasuan njoftimin se më 22 korrik rinisin bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, ndërsa pritet që procesi të shkojë drejt një marrëveshjeje finale politike. Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri tha se çështjet e të zhdukurve e të bashkëpunimit ekonomik që u diskutuan më 16 Korrik nga Hoti e presidenti serb Vuçiç duhet të përfshihen në kuadër të marrëveshjes finale e jo të diskutohen në proces teknik.