Aktualitet Lajmet e fundit

Kryeministri Rama thirrje për vaksinim, të mos mbeteni jashtë mjediseve publike!

Kryeministri Edi Rama iu bën thirrje qytetarëve të pavaksinuar, të vaksinohen sa më me shpejtësi kundër koronaviusit. Përmes një video mesazhi, Rama thekson se vaksinimi është i rëndësishëm, për të mbrojtur veten e mos mbetur jashtë mundësisë së aksesit në mjediset publike.

MIRËMËNGJES dhe me ftesën për të pavaksinuarit që të vaksinohen një orë e më parë, për të mbrojtur veten e për të mos u ndodhur jashtë mundësisë së aksesit në mjedise publike, nëse situata e dimrit do ta imponojë, ju uroj një fundjavë të mbarë!

Dy ditë më parë, nga foltorja e Kuvendit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu paralajmëroi se vendosja e Green Pass-it, Certifikatës së Vaksinimit në bare e restorante do të vlerësohet si opsion, në varësi të ecurisë së situatës së pandemisë koronavirus.

Jemi duke vlerësuar dinamikën e pandemisë. Do të shohim si do të përballemi me ecurinë e infektimeve. Të gjitha opsionet janë në tavolinë, edhe vendosja e Green Pass-it është një nga këto. E kemi vendosur për studentët dhe ka patur një rritje të studentëve që janë vaksinuar. 30-38% e grupmoshës 18-24/vjeç janë të vaksinuar, por ende jemi larg.

Deri tani, në vendin tonë kanë mbërritur 2,496,960 vaksina anti-COVID. Vaksinimi masiv po vijon në pikat e përqëndruara, në qendra shëndetësore, poliklinika, si dhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, në kuadër të aksionit kombëtar “Derë më derë”. Prej fillimit të vaksinimit, në janar të këtij viti, në total janë kryer 1,938,398 doza. Në vendin tonë, procesi është i hapur për të gjithë personat +16/vjeç si dhe fëmijët +12, me probleme të sistemit imunitar. Ndërkaq ka filluar vaksinimi me dozën e tretë të vaksinës kundër koronavirusit për personelin shëndetësor, qytetarët +60/vjeç me sëmundje kronike, si dhe për +18 vjeçarët, me frenim të imunitetit.