Botë e Çuditshme

Kur të lirojnë gabimisht nga burgu/Gabim i turpshëm në Francë!

Një burg në Francë liroi gabimisht një të burgosur sepse emri i tij ishte pothuajse identik me të një burgosuri tjetër përveç një shkronje, siç raportuan mediat vendase.

Në vend që të lironin një të dënuar që duhej të lirohej nga burgu për të pritur deportimin në vendin e tij të lindjes nën arrest shtëpie, rojet e burgut në qytetin perëndimor francez të Bordosë liruan një burrë të dënuar me 10 vjet burg për grabitje e që çoi në vdekjen e një personi, sipas raportimeve nga transmetuesit RMC dhe BFMTV duke cituar burime pranë autoriteteve gjyqësore.

Kur u zbulua gabimi ishte tepër vonë, pasi burri i liruar gabimisht qe zhdukur prej kohësh. Aktualisht, është duke u zhvilluar një kërkim policor për kapjen e tij.

Në fakt, emri i fillonte me shkronjën K e jo me R, ndryshe nga emri i burrit që në të vërtetë duhej të ishte i lirë menjëherë. Megjithatë, të dy emrat shqiptohen njësoj, referuar RMC-së. Stafi i burgut as që e vuri re se të dy ata kishin emra të ndryshëm.

Për zyrtarët francezë nuk ka dyshime se kur u mor nga qelia, personi i dënuar me një dënim të gjatë me burg vitin e kaluar, e kuptoi se burgu kishte bërë një gabim me rastin, por preferoi të mos tregonte pasi kishte planet e veta për të shijuar lirinë që iu dhurua aksidentalisht.

Kur u pyet, ai konfirmoi se ishte personi që duhej të lirohej, raportoi RMC.

Kur burgu e kuptoi gabimin e kryer, drejtuesit liruan edhe personin që në fakt duhej të shkonte në shtëpi e që priste me padurim që telashi të zgjidhej. Ndërkaq, çështja shkoi më lart dhe ministri francez i Drejtësisë, Gerald Darmanin ka urdhëruar një hetim për gabimin e turpshëm, që të mos përsëritet duke vënë në siklet autoritetet e sigurisë në Francë.