Bota

Ky ishull shpall “luftë” me dronë ndaj maceve endacake!

Autoritetet në Holandë po përgatiten të përdorin dronë me kamera termike për të lokalizuar dhe kapur rreth 70 mace endacake në ishullin Schiermonnikoog, pasi konsiderohen një kërcënim serioz për zogjtë e mbrojtur dhe faunën lokale. Lajmi u raportua nga media holandeze NOS, sipas së cilës operacioni do të zhvillohet në ishullin kombëtar të Schiermonnikoog-ut, një zonë natyrore e mbrojtur përgjatë bregdetit verior të Holandës.

Ndryshe nga rastet e mëparshme të ngjashme, këtë herë edhe organizatat për mirëqenien e kafshëve kanë mbështetur ndërhyrjen, duke argumentuar se macet nuk mund të mbijetojnë lehtësisht në kushte të tilla për shkak të mungesës së ushqimit dhe strehimit. Në të njëjtën kohë, prania e tyre ka sjellë pasoja të konsiderueshme për speciet e mbrojtura të shpendëve dhe lepujve, të cilët sulmohen nga macet endacake.

Sipas autoriteteve lokale, macet konkurrojnë gjithashtu për prenë me zogjtë grabitqarë, që konsiderohen pjesë natyrore e ekosistemit të ishullit. Operacioni do të mbështetet në përdorimin e dronëve të pajisur me kamera termike, që do të ndihmojnë në identifikimin e maceve gjatë natës apo në zona të vështira për t’u monitoruar. Kjo nuk është hera e parë që ndërmerren masa të tilla në Schiermonnikoog. Në vitin 2022, macet u kapën përmes kafazeve-kurth me ushqim dhe më pas u transferuan në strehimore në territorin kontinental të Holandës.