Imazhi i një djali të vogël gati për not, shikimi i tij i hutuar nga një aeroplan zjarrfikës në qiellin e mbushur me tym, duket se ka qenë për shumë njerëz imazhi më domethënës për të treguar se ç’po ndodh me Turqinë dhe situatën e shkaktuar nga zjarret gjatë nëntë ditëve të fundit.
E realizuar nga një pushues rus në Antalia javën e kaluar, fotografia është shpërndarë gjerësisht nga përdoruesit e mediave sociale turke, shumë prej të cilëve po largohen nga zona për shkak të zjarreve, për të cilët ekspertët thonë se janë shkaktuar nga kriza klimatike dhe menaxhimi jokompetent nga departamenti i pyjeve i Ankarasë.
Turqia po përballet me situatën më të rëndë në dekada, pasi zjarret vijojnë të shkrumbojnë mijëra hektarë sipërfaqe në brigjet jugore të vendit. Dhjetra mijëra njerëz janë evakuuar nga zonat e rrezikut pas një bilanci me tetë viktima dhe më shumë se 100 në gjendje të rënduar shëndetësore. Zyrtarët Turq thonë se janë vënë nën kontroll 217 nga 223 zjarret që kanë shpërthyet në pyje në 47 provinca të vendit, ndërkohë vazhdojnë përpjekjet për izolimin e 6 vatrave aktive.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, përballet me një valë në rritje të zemërimit nga populli turk për reagimin e ngadaltë dhe të dobët të qeverisë së tij ndaj katastrofës.