I armatosur me armë zjarri pistoletë, në rrugën “Pjetër Bogdani” në Tiranë u kap dhe u vu në pranga një shtetas 34-vjeçar. Të ndaluarit iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Operacioni policor i koduar “Ndalesa” u finalizua nga forcat e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në kryeqytet.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në rrugën “Pjetër Bogdani”, një shtetas që lëvizte me automjet, ishte i armatosur me armë zjarri, kanë organizuar punën duke finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Ndalesa”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: M.K., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shërbimet e Policisë gjate kontrollit fizik të shtetasit M.K, i gjetën në brez një armë zjarri pistoletë me një krehër me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.