Krahasimi i vazhdueshëm me të tjerët në mediat sociale po kthehet në një nga goditjet më të forta për vetëvlerësimin dhe shëndetin mendor.
Sa herë që ndihesh i lënduar, fajtor ose jo mjaftueshëm i mirë për jetën, trupin apo marrëdhënien tënde pasi sheh postimet e të tjerëve, vetëbesimi yt fillon të dëmtohet.
Edhe pse rrjetet sociale të japin mundësinë të lidhesh me botën me një klik, po aq shpejt ato mund të të bëjnë të ndihesh i pasigurt dhe i pakënaqur, duke të përballur vazhdimisht me versione “perfekte” të jetës së të tjerëve.
Sipas “life-coach” Kelly Rudolph, vetëvlerësimi është si një enigmë me pjesë të brishta dhe mjafton që një copë të dëmtohet për të ndikuar në çdo aspekt të jetës së përditshme.
Ekspertët theksojnë se krahasimi i trupit, arritjeve apo stilit të jetesës me të tjerët ul ndjeshëm imazhin për veten. Të jesh i shëndetshëm, i lumtur dhe i përmbushur nuk do të thotë të dukesh si modele revistash apo të jetosh sipas standardeve të imponuara online. Pranimi i vetes ashtu siç je është hapi i parë drejt vetëbesimit.
Një tjetër zakon që dëmton psikologjinë është kërkimi i vazhdueshëm i vëmendjes dhe miratimit virtual përmes postimeve apo flirtit online, duke lënë pas dore vlerat dhe marrëdhëniet reale.
Mediat sociale mund të krijojnë një ndjesi të rreme lidhjeje, shpesh në kurriz të raporteve të shëndetshme me veten dhe njerëzit e afërt.
Psikologët këshillojnë vendosjen e kufijve të qartë në përdorimin e rrjeteve sociale. Nëse përmbajtja që shikon të ul humorin ose të bën të ndihesh keq me veten, shkëputja është zgjidhja më e shëndetshme.
Ashtu si në jetën reale, edhe në atë virtuale, çdo lidhje që nuk të bën të ndihesh mirë, duhet lënë pas.