Aktualitet

Mes lotësh dhe dhimbjesh, përcillet për në banesën e fundit 8-vjeçari që u vra nga komshiu në Fier.

Përcillet për në banesën e fundit 8-vjeçari Mateo Vasiu, i cili u rrëmbye dhe u vra nga fqinji i tij, Klodian Çalamani një ditë më parë.

Mes lotësh dhe dhimbjesh, familjarët përcollën vogëlushin për në banesën e fundit. Në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë dhe dhjetra banorë të fshatit e zonave përreth.

Të gjithë janë në lot për vogëlushin që u vra tragjikisht nga 38-vjeçari teksa kishte dalë të luante me biçikletë si çdo ditë të fëmijërisë së tij.

Në ceremoni merrte pjesë edhe deputeti Taulant Balla si dhe kryetari i Bashkisë Fier Armando Subashi.

SI NDODHI NGJARJA

Mateo Vasiu u vra në mënyrë makabre nga fqinji i tij, i cili dyshohet se e ka rrëmbyer të miturin. Pas denoncimit të nënës, Florindës, forcat e rendit janë vënë menjëherë në lëvizje, duke nisur hetimet për rastin.

Kamerat e sigurisë në zonë, të cilat janë këqyrur nga hetuesit, kanë zbuluar momentet e fundit të 8-vjeçari, i cili kishte biseduar për disa momente dhe kishte pedaluar në rrugët e lagjes me biçikletën e atij që do të bëhej vrasësi i tij. Pas këtij momenti, Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e 38-vjeçarit, Klodian Çalamani, i cili sipas burimeve jetonte i vetëm në banesë.

Trupi i pajetë i vogëlushit është gjetur i groposur në një nga cepat e banesës së autorit të dyshuar të krimit i mbuluar me baltë.

“Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur. Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë”, sqaroi Policia.

Kush është Klodian Çalamani?

Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo jo pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën. Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak. Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Në atë kohë, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës në vitin 2009.