Në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, ministri i Financave, Petrit Malaj tha se projektligji i buxhetit 2026 është hartuar si një dokument që synon t’i përgjigjet angazhimeve që ka marrë Qeveria, me fokus kryesor:
Ø Të rrisim nivelin e mirëqenies dhe mbrojtjes sociale për qytetarët tanë;
Ø Të garantojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme;
Ø Të sigurojmë konsolidimin fiskal;
Ø Si dhe të përshpejtojmë procesin e integrimit evropian
Projektbuxheti 2026 parashikon një nivel total shpenzimesh prej 886.7 miliardë lekësh, duke ruajtur ekuilibrin midis qëndrueshmërisë fiskale dhe nevojës për të mbështetur zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.
Malaj u shpreh se kryefjala e këtij projektbuxheti është padyshim rritja e mirëqenies sociale, duke vijuar më tej me nxitjen për modernizimin e infrastrukturës, përsosjen e sistemeve digjitale, por edhe te zhvillimi i kapitalit njerëzor përmes arsimit dhe punësimit cilësor.
Shtylla themelore e këtij buxheti është padiskutim Reforma e Pensioneve që do të nisim në vitin e ardhshëm dhe do të shtrihet deri në vitin 2030.
Të moshuarit, do të marrin mbështetje direkte financiare nga Buxheti i Shtetit. Menjëherë pas bonusit të fundvitit, të miratuar tashmë, me fillimin e vitit të ri ne do të zbatojmë edhe rritjen graduale të pensioneve, në përputhje me aftësinë fiskale të shtetit dhe kontributin real të qytetarëve në sistemin e sigurimeve shoqërore.
Kështu, duke filluar nga Janari 2026, përmes mbështetjes buxhetore do të zbatojë një kompensim të ardhurash për të gjithë pensionistët, bazuar në kategorinë e pensionit që përfitojnë.
Dhe më konkretisht :
• 1,800 lekë/muaj për pensionet urbane me vite të plota pune;
• 800 lekë/muaj për pensionet urbane të pjesshme;
• 1,000 lekë/muaj për pensionet rurale (të dalë në pension para 31.12.2014);
• 700 lekë/muaj për pensionet familjare;
• 600 lekë/muaj për pensionet e invaliditetit të punës.
Kjo ndërhyrje synon rritjen graduale të nivelit të pensioneve, me objektivin që deri në vitin 2030, të ardhurat mesatare mujore nga të arrijnë:
• 40,000 lekë për pensionet urbane të plota nga nga 27.350 lek aktualisht
• 22,000 lekë për pensionet urbane të pjesshme nga 16.300 lek aktualisht
• 18,000 lekë për pensionet mesatare rurale nga 11,400 lekë aktualisht
• 18,000 lekë për pensionet mesatare familjare nga 11,300 lekë aktualisht,
• 30,000 lekë për pensionet e invaliditetit nga 24,300 lekë aktualisht.
Efekti financiar i parashikuar për këtë masë për vitin 2026 është parashikuar rreth 10.4 miliardë lekë, që do të mbulohet plotësisht nga Buxheti i Shtetit. Në fund të manadit, ky efekt pritet të jetë në rreth 52 miliardë lekë, ndërsa në total për përiudhën 2026-2030 ky fond llogaritet në rreth 1.7 miliardë euro.
Duke filluar nga 1 janari 2026, Paga Minimale për efekt të kontributeve shoqërore do të rritet me 10,000 lekë, duke arritur në 50,000 lekë. Nga kjo rritje parashikohet të përfitojnë 307,850 të punësuar në sektorin publik dhe privat.
Ndërsa planifikimi afatmesëm është për ta çuar pagën minimale në
· 60,000 lekë në vitin 2028
· dhe 70,000 lekë deri në fund të mandatit.
Përmes kësaj politike ne synojmë të garantojmë një afrim më të ndjeshëm me nivelin mesatar të pagës minimale në vendet e rajonit, por edhe më gjerë, duke ndikuar pozitivisht në formalizimin e tregut të punës dhe rritjen e produktivitetit.