Shumica prej nesh nuk e imagjinojnë dot fillimin e ditës pa një filxhan kafe. Përfitimet e saj për shëndetin janë të shumta dhe të dokumentuara, nga ulja e rrezikut për disa lloje kanceri, demencë e diabet, deri te ndihma në kontrollin e peshës trupore.
Megjithatë, ka situata të caktuara kur kafeja nuk është aleatja juaj më e mirë dhe madje mund të përkeqësojë gjendjen tuaj.
Ja tre rastet kur duhet ta mendoni dy herë para se ta pini:
1. Kur jeni të stresuar ose të shqetësuar
Kafeina stimulon çlirimin e kortizolit, i njohur si hormoni i stresit, si edhe të adrenalinës. Kjo mund të rrisë përkohësisht presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës. Nëse tashmë ndiheni të tensionuar, një dozë e lartë kafeine mund të shtojë nervozizmin, dridhjet, pagjumësinë dhe ndjesinë e ankthit.
Konsumimi i tepërt, sidomos në nivele shumë të larta, mund të çojë në frymëmarrje të shpejtë dhe rritje të konsiderueshme të stresit.
2. Kur kafeja është shumë e nxehtë
Sipas World Health Organization, konsumimi i pijeve shumë të nxehta mund të rrisë rrezikun për kancer të ezofagut. Rreziku lidhet me temperaturën e lartë të lëngut dhe jo domosdoshmërisht me vetë kafenë.
Prandaj, edhe nëse jeni me nxitim, është më mirë ta lini filxhanin të ftohet pak para se ta pini.
3. Kur jeni të privuar nga gjumi
Kafeja mund të japë një shtysë të përkohshme energjie, por nuk zëvendëson gjumin. Studimet tregojnë se kur trupi është i privuar nga pushimi i mjaftueshëm, efekti i kafeinës dobësohet.
Në vend që të pini një tjetër kafe kur ndiheni të rraskapitur, një sy gjumë i shkurtër prej 15–20 minutash mund të jetë shumë më efektiv për të rifituar përqendrimin dhe energjinë.