Health & Beauty

Mos i injoroni!/Ekspertët e shëndetit shpjegojnë 6 shkaqe që e ngadalësojnë kujtesën!

Me kalimin e moshës, truri humbet gradualisht masë, kryesisht në korteksin prefrontal, që është i rëndësishëm për vendimmarrjen dhe në hipokampus, pjesa e trurit përgjegjëse për kujtesën. Ritmi i shpejtë i jetës dhe mijëra detyra ditore lënë gjurmë në trup dhe në funksionet njohëse. Harresa është normale herë pas here dhe zakonisht nuk përbën arsye për shqetësim. Mjekët theksojnë se shkaqet nuk lidhen gjithmonë vetëm me moshën. Numri i neuroneve zvogëlohet që nga lindja, prandaj është disi normale që me kalimin e viteve të mos kujtojmë shpejt emra ose fjalë të caktuara, shpjegon dr. Eliz Kakapolo, neuropsikologe në Qendrën Mjekësore të Universitetit “Columbia”.

Murali Dorajsvami, psikiatër nga Fakulteti i Mjekësisë “Duke”, shton se me kalimin e moshës mund të ndodhë dobësimi i kujtesës afatshkurtër pra, aftësia për të mbajtur mend sasi të vogla informacioni për një periudhë të shkurtër kohe. Ndërsa plaket truri, ai humbet masë më shumë në korteksin prefrontal (vendimmarrje) dhe hipokampus (kujtesë). Njëkohësisht, përçimi i informacionit mes neuroneve ngadalësohet, ndërsa rritet rreziku i sëmundjeve neurodegjenerative.

Në anën tjetër, inteligjenca emocionale shpesh forcohet me kalimin e moshës dhe përvoja jetësore ndihmon në vendimmarrje dhe në strategjitë për të mbajtur mend më lehtë. Megjithatë, mjekët vërejnë se stërmundimi, infeksionet apo stresi kronik mund të kenë ndikim të madh në aftësitë njohëse, edhe pa pasur lidhje të drejtpërdrejtë me moshën. Shumë barna të zakonshme mund të ndikojnë në kujtesë, veçanërisht kur kombinohen disa lloje të ndryshme. “Nëse problemet me kujtesën po bëhen më të dukshme, është e domosdoshme t’i tregoni mjekut cilat barna përdorni, përfshirë suplementet dhe barnat pa recetë”, thekson dr. Brenna Ren, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Nevadës.

Nëse barnat ndikojnë në aftësinë për të mbajtur mend, mjeku mund të ndryshojë terapinë ose të rregullojë dozën. Benzodiazepinat dëmtojnë kujtesën afatshkurtër dhe afatgjatë. Statinat, barna për uljen e kolesterolit; sipas FDA, mund të shkaktojnë konfuzion dhe humbje kujtese. Beta-bllokuesit përdoren për presionin e gjakut dhe sëmundjet e zemrës; disa studime i lidhin me funksione më të dobëta njohëse. Opioidet, përdorimi afatgjatë mund të ndikojë negativisht në kujtesë. Barnat për gjumë mund të shkaktojnë harresë dhe vështirësi në kujtesë.

Depresioni dhe ankthi janë ndër shkaqet kryesore të problemeve me kujtesën te personat 40–60 vjeç, thotë dr. Kakapolo. Sipas dr. Holland, ushqyerja ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e trurit. Një dietë e pasur me vitamina dhe minerale ndihmon në mbrojtjen e neuroneve. Ushqimet që përmbajnë flavonoide, si perimet me gjethe të errëta, çajrat dhe domatet, mund të ngadalësojnë dobësimin e kujtesës. Në të kundërt, ushqimet e përpunuara, që përmbajnë ngjyrues artificialë, aditivë dhe ëmbëltues artificialë, lidhen me rritje të rrezikut për harresë dhe demencë. Stresi i përditshëm, detyrimet e punës dhe familjes ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e gjumit. Një gjumë i rregullt dhe i mjaftueshëm është thelbësor për rigjenerimin dhe shëndetin e trurit. Mungesa e gjatë e gjumit shteron burimet njohëse, përkeqëson përqendrimin, të nxënit dhe kujtesën.