Aktualitet Rajoni

‘Mos ma përktheni të ardhmen!’ Mesazhi goditës i djaloshit shqiptar në protestën për gjuhën shqipe në Shkup!

Mes mijëra protestuesve në Shkup, vëmendje të veçantë ka marrë edhe ky djalosh i vogël që mban në duar pankartën me mbishkrimin: “Mos ma përktheni të ardhmen!”.

Mesazhi i tij është thjeshtë, por i fortë. Ai vjen në një nga momentet më domethënëse të protestës së studentëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

Kjo fotografi është shpërndarë, pëlqyer dhe komentuar jo vetëm nga pjesëmarrësit në protestë por edhe ndjekësit nga diaspora që po e shohin protestën onlinë dhe njëzëri kërkojnë respektin të të drejtës së gjuhës për brezat e ardhshëm.

Të grumbulluar në Shkup, studentëve shqiptarë në RMV i janë bashkuar edhe ata nga Shqipëria e Kosova.

Në sheshin ku janë grumbulluar mbizotëron vetëm ngjyra kuqezi, ndërsa të gjithë ata në kor kanë thënë: “UÇK, UÇK, UÇK”.

Kjo është protesta e dytë që organizojnë studentët shqiptarë dhe vjen si pasojë e refuzimit të kërkesës së tyre nga ana e ministrit të Drejtësisë.

Më 6 prill 2026 në Shkup, mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë dolën në zemër të Shkupit dhe kërkuan respektimin e të drejtave të tyre, çka nxiti kryeministrin Hristijan Mickoski të deklaronte nxitimthi se qeveria e tij po punonte për një zgjidhje dhe shumë shpejt do të kishte një propozim konkret.

Sipas mediave në Maqedoni, në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve të tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.