Për ditën e sotme, vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti vijon me vranësira mesatare deri të dendura, si edhe me alternime të herëpashershme me kthjellime e kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore.
Vranësirat e dendura shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Përgjatë orëve të pasdites e deri në ato të vona të mbrëmjes, në Ultësirën Perëndimore, reshjet janë në formën e shtrëngatave.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, SHMU, era fryn me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut, me shpejtësi mesatare 4 m/sek. Hera-herës, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, fiton shpejtësi deri në 10 m/sek. Ndërkaq, valëzimi në detet Adriatik e Jon është i forcës 1-3 ballë.