Aktualitet Politikë

“Mosbindja civile”/ Edmond Spaho: Kemi kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve! Ja pamjet me dron të protestuesve (VIDEO)

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho thotë se kjo qeveri po synon të eliminojë demokracinë dhe të ekzekutojë opozitën.

Nga rrethrrotullimi i Bradasheshit, ku protestuesit bllokuan rrugët, Spaho tha se nuk do lejojnë që zgjedhjet e 2025 të jenë një proces farsë.

Ai thotë se kanë kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve për të realizuar qëllimin e tyre, krijimin e qeverisë teknike.

“Demokracia në Shqipëri po eliminohet. Synimi është që të ekzekutojnë opozitën dhe të sigurojnë në tavolinë një mandat të 4 në zgjedhjet e 2025. Ne nuk pajtohemi me këtë, nuk do lejojmë që zgjedhjet të jenë një farsë elektorale. Kërkojmë një qeveri teknike që të garantojë standardet që ka vendosur OSBE-ODIHR. Këtë shqetësim e shprehëm edhe në Strasburg për gjendjen e rëndë politike që po kalon Shqipëria. Kërkuam ndihmën e tyre që mund të realizojmë qeverinë teknike në zgjedhjet e ardhshme”, tha Spaho.

Prej gati një ore vijon protesta e opozitës në rreth rrotullimet kryesore të vendit.

Pamjet me dron tregojnë në Tiranë numrin e protestuesve që marrin pjesë në këtë tubim të organizuar nga opozita.

Akset kryesore të vendit që janë paralizuar nga protesta e opozitës janë: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.

Shumica e deputetëve të opozitës janë vendosur në Tiranë, kurse pjesa tjetër në zonat ku po zhvillohet protesta.

Dhjetëra forca policore dhe zjarrfikëse ndodhen në terren për të shmangur çdolloj përshkallëzimi të tubimit.