Bota

Moti i acartë, Kievit i ndërpritet ngrohja nga sulmet ruse!

Kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko iu bëri thirrje banorëve që kanë mundësi, të largohen përkohësisht nga kryeqyteti ukrainas, pasi sulmet ruse kanë shkaktuar ndërprerje masive të ngrohjes në qytet.

Temperaturat ranë sot deri në minus 15 gradë Celcius, duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve.

Një sulm i fuqishëm me raketa dhe dronë goditi qytetin, vrau katër persona dhe shkatërroi godina banimi, përfshirë një pjesë të ambasadës së Katarit.

Personeli diplomatik shpëtoi pa lëndime, por dëmet ishin të konsiderueshme.

Gazetarët në Kiev raportuan panik ndër banorët, të cilët vraponin drejt strehimeve teksa sirenat e alarmit ajror jehonin dhe shpërthime të dronëve dhe raketave dëgjoheshin në të gjithë qytetin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën se po përdor të ftohtin si “mjet terrori” dhe kërkoi nga zyrtarët që të përballen me krizën.

Qyteti ka burime për të menaxhuar situatën, pavarësisht dëmeve të shumta.

Sipas kryebashkiakut Klitschko, rreth gjysma e pallateve të banimit në Kiev, afërsisht 6 mijë ndërtesa, mbeten pa ngrohje.

Autoritetet shpresojnë të rikthejnë furnizimin gjatë fundjavës në disa zona, por disa dëme kërkojnë më shumë kohë për riparim.

Janë hapur 1 mijë e 200 qendra ngrohjeje për qytetarët e prekur, ndërsa presidenti Zelensky bëri thirrje që askush të mos ikë nga përgjegjësitë dhe të zgjidhë problemet praktike të Kievit.

Rusia përdori raketën balistike “Oreshnik” për të goditur objektiva strategjikë, përfshirë një objekt infrastrukture pranë Lvivit.

Banorët e zonave të prekura raportuan shpërthime dhe ndërprerje të gazit, çka përkeqëson situatën në temperaturat e acarta.