Një arrest kardiak në aeroport në Stamboll i mori jetën ish-drejtorit sportiv të Vllaznisë, Engin Firat. Ai po priste për të marrë avionin për në Adana, kur është rrëzuar papritur në tokë, duke shkaktuar panik tek njerëzit e tjerë. Së fundmi, klubi i Vllaznisë i ka shprehur ngushëllime familjes së 55-vjeçarit turk.
“Me keqardhje mësuam ditën e sotme, ndarjen e parakohshme nga jeta pas një arresti kardiak të ish-drejtorit sportiv të klubit tonë, Engin Firat. Në këto momente të dhimbshme, Vllaznia i qëndron pranë familjes dhe të të dashurve të tij duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Prehu në paqe Engin Firat”, shkruan klubi.
Firat kishte një karrierë të pasur si trajner dhe drejtues sportiv. Me Vllazninë, ai kontribuoi në sezonin 2018/19, duke ndihmuar klubin të rikthehej në Kategorinë Superiore. Së fundmi, Firat drejtonte skuadrën e Nejmeh në Liban. Karriera e tij ndërkombëtare përfshinte edhe drejtimin e përfaqësueses së Moldavisë për një vit dhe më pas të Kenias për tre vite.
Firat ndërroi jetë në moshën 55-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të spikatur në futbollin shqiptar dhe atë ndërkombëtar.