Aktualitet

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare Mjeshtri i Madh i humorit shkodran, Paulin Preka.

Aktori i njohur i humorit shkodran, Paulin Preka ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.

Mjeshtri i Madh i humorit mbylli sytë në Itali, ku ndodhej prej vitesh së bashku me familjen e tij.

Ai numëron me dhjetëra role në teatër dhe kinematografi, ku ka spikatur me estradën e Shkodrës në shumë aktivitete brenda e jashtë vendit.

Paulin Preka ka lindur në Shkodër më 2.02.1935 në një familje të varfër. Ai kishte edhe një vëlla më të madh dhe dy motra. Puna e lodhshme e të atit, një punëtor shumë i nderuar dhe përkujdesja e jashtëzakonshme e së ëmës, i rritën dhe i edukuan me dashurinë ndaj Zotit, ndaj mëhallës, ndaj vendlindjes, por edhe ndaj integrimit të tyre në vlerat qytetare të Shkodrës dhe që ishin rruga ku Paulini hodhi hapat e parë, i prirur nga talenti i tij për të shkruar biografinë e tij artistike, e cila vite më vonë do ta radhiste në brezin e artë të aktorëve që krijuan një plejadë të papërsëritshme.

Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesëmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës. Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë moshë, daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlerësuan me çmim të parë.

Rreth viteve 1945-1946 në moshën 11 vjeçare, doli në skenë me dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të shkrimtarit hungarez Ferenz Molnar e cila u interpretua nga nxënësit e shkollës “Pashko Vasa”. Në këtë dramë Paulini interpretoi një ndër rolet kryesore.

Në linkun më poshtë mund të ndiqni një nga skeçet më të famshme ku merr pjesë edhe Paulin Preka.

https://www.youtube.com/watch?v=csCjLIk1bNc