Ish-presidenti legjendar i Uruguait, José “Pepe” Mujica, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga presidenti aktual i vendit, Yamandú Orsi, i cili në një postim në platformën X shkroi:
Me trishtim të thellë njoftojmë vdekjen e shokut tonë, Pepe Mujica. Ju falënderojmë për gjithçka që na keni dhënë
Ai njihej si “presidenti më i varfër në botë”, pasi dhuronte pjesën më të madhe të pagës së tij për qëllime bamirësie dhe jetonte në mënyrë modeste.
Ish-gueril dhe i burgosur politik për 13 vite gjatë diktaturës ushtarake, Mujica u bë simbol i përulësisë dhe politikave progresive.
Gjatë mandatit të tij, ai legalizoi martesat mes gjinive të njëjta, abortin dhe përdorimin e kanabisit – duke e bërë Uruguain vendin e parë në botë që ndërmori këtë hap.
Në maj 2024, Mujica u diagnostikua me kancer, i cili më vonë u konfirmua se ishte në fazë terminale.
Ai mori kujdes paliativ deri në fundin e jetës së tij. Bashkëshortja e tij, Lucia Topolanski, konfirmoi gjendjen e rëndë shëndetësore disa ditë më parë.
José Mujica do të kujtohet si një lider me shpirt revolucionar, i përkushtuar ndaj barazisë, drejtësisë sociale dhe njerëzimit.