Rrjetet sociale janë “pushtuar” nga postimet dhe videot nga Coachella Valley Music and Arts Festival, festivali muzikor që zhvillohet çdo vit në Indio, në zemër të shkretëtirës së Kalifornisë, në ambientet e Empire Polo Club.
Sot konsiderohet si një nga festivalet më prestigjioze në botë, por rruga drejt këtij suksesi nuk ka qenë aspak e lehtë.
Nga një ide “e çmendur” në sukses global?
Coachella Valley Music and Arts Festival nisi në vitin 1999, i themeluar nga Paul Tollett dhe Rick Van Santen, nën organizimin e Goldenvoice dhe AEG.
Ideja për të organizuar një festival të madh shumëditor në vapën e shkretëtirës u konsiderua e rrezikshme. Megjithatë, artistë si Beck, Tool dhe Rage Against the Machine performuan në edicionin e parë, duke tërhequr rreth 25 mijë persona në ditë.
Pavarësisht kritikave pozitive, festivali pësoi humbje financiare dhe në vitin 2000 nuk u zhvillua fare.
Rilindja që ndryshoi gjithçka…
Në vitin 2001, Coachella Valley Music and Arts Festival u rikthye si një event njëditor, më modest, duke hedhur bazat për suksesin e ardhshëm.
Gjatë viteve në vijim, festivali filloi të evoluojë: u kthye në një event shumëditor, shtoi kampingun, instalimet artistike dhe një miks unik zhanresh, nga rock dhe indie, te hip-hop dhe muzika elektronike.
Një moment historik ishte performanca e Daft Punk në vitin 2006, me skenën ikonike “Pyramid”, e cilësuar nga shumë si një nga performancat më të mira live në historinë e muzikës elektronike.
Vitet 2010 konsiderohen si kulmi i festivalit. Në vitin 2012, për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme, u shtua edhe një fundjavë e dytë.
Në skenën e Coachella Valley Music and Arts Festival kanë performuar emra gjigantë si Prince, Paul McCartney, Beyoncé, Madonna, Kanye West, Radiohead, Bad Bunny, Drake dhe Billie Eilish.
Sot, Coachella Valley Music and Arts Festival nuk është vetëm një festival muzikor, por një fenomen kulturor global. Ai kombinon muzikën, modën, artin dhe influencën e rrjeteve sociale në një eksperiencë unike që tërheq mbi 250 mijë vizitorë çdo vit.
Edicioni i këtij viti, i 25-ti me radhë, mbahet në dy fundjava: 10–12 prill dhe 17–19 prill 2026.
Çmimet që nuk i ndalin fansat!
Biletat bazë (GA) variojnë nga 549 deri në 699 dollarë, ndërsa ato VIP nga 1,199 deri në 1,399 dollarë. Por për shkak të kërkesës së madhe, në tregun e rishitjes çmimet kalojnë edhe 1,500 dollarë.
Pavarësisht kostos së lartë, biletat shiten brenda pak orësh çdo vit, duke konfirmuar statusin e festivalit si një nga më të kërkuarit në botë.
Nga një event që dikur rrezikonte të zhdukej, Coachella Valley Music and Arts Festival sot gjeneron rreth 800 milionë dollarë të ardhura në vit.
Një histori suksesi që tregon se edhe idetë më “të çmendura” mund të kthehen në fenomene globale.