Bota

Ngrihet aktakuzë kundër Mogherinit për mashtrim dhe korrupsion!

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) njofton se ka ngritur akuzë kundër ish-shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe dy personave të tjerë, për mashtrim në prokurime e korrupsion, si dhe për konflikt interesi e shkelje të sekretit profesional.

Ata u arrestuan dje si pjesë e një hetimi të BE-së për mashtrim, por u liruan më vonë ndërsa hetimet të vazhdojnë, raportoi EPPO-ja, duke shtuar se nuk ka rrezik që ata të ikin.

EPPO-ja i përshkroi dy të dyshuarit e tjerë si një punonjës të lartë të College of Europe në Bryzh dhe një zyrtar të lartë të Komisionit Evropian. Tri burime i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se njëri nga të ndaluarit ishte diplomati i lartë i BE-së, Stefano Sannino.

Të gjitha personat konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia të provohet nga gjykatat kompetente belge, shtoi EPPO.

Ata u arrestuan pas kontrolleve në shërbimin diplomatik të BE-së në Bruksel, në College of Europe, universitet elitar në Bryzh që arsimon shumë zyrtarë të BE-së, si dhe në shtëpitë e të dyshuarve.

Federica Mogherini ka qenë përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë e drejtore e shërbimit diplomatik nga 2014-ta deri më 2019-ën. Më tej u emërua drejtoreshë e kolegjit pasuniversitar College of Europe më 2020.

Zyrtarja ka ndërmjetësuar për disa vite dialogun midis Kosovës e Serbisë. Sipas EPPO-s, hetimi lidhet me “dyshime për mashtrim që ka të bëjë me trajnime të financuara nga BE-ja për diplomatë të rinj”.

Mogherini dhe Sannino, që të dy shtetas italianë, janë figura të njohura në qarqet diplomatike të Brukselit dhe lajmi i për arrestimin e tyre shkaktoi tronditje në komunitetin e BE-së.