Aktualitet Politikë

Ngritja e dy komisioneve në Kuvend, Berisha: Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira!

Sali Berisha sqaroi votën e demokratëve për dy komisionet. Sipas tij, PD-ja kërkon adresimin e rekomandimeve  të OSBE-ODIHR/it për zgjedhjet dhe zhbërjen e reformës aktuale territoriale, që e konsideron antikushtetuese.

“Ne ndjehemi të detyruar që orientimet dhe rekomandimet e drejta, t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se në mënyrë absolute, me Edi Ramën, shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë”, tha kreu demokrat.

Ne sot votuam ngritjen e këtyre komisioneve për dy arsye, së pari janë një seri e pafundme e OSBE-së që ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme. OSBE-ja ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi si një farsë të shëmtuar zgjedhjet e 11 majit.

Në këtë kontekst, ne ndihemi të detyruar ndaj tyre, që rekomandimet e drejta t’i kthejmë në ligj ndonëse deklarojmë që në mënyrë absolute, me Edi Ramën, shqiptarët s’do të votojnë kurrë si qytetarë të lirë.

Reforma territoriale ishte një antireformë në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale. Me Ramën nuk ka zgjedhje dhe është vetëm vendimi i qytetarëve ai që do u kthejë shqiptarëve votën, është përpjekje e opozitës ajo çfarë do i kthejë shqiptarëve votën.

Deputeti Fatmir Mediu kërkoi që ngritja e Komisionit të ri Zgjedhor të prodhojë rezultate dhe të mos përsërisë historitë e mëparshme. Sipas Mediut, opozita duhet të ketë të drejtën për të diskutuar se çfarë është e vlefshme apo jo në një Kod Zgjedhor dhe se ligjet e reja që duhet të prodhohen, duhet të çlirojnë zgjedhjet nga korrupsioni dhe krimi.

Nuk na bën nder që ky komision ecën sipas traditës parlamentare, se kjo traditë nuk ka prodhuar asnjë kod elektoral që të ketë minimizuar problemet zgjedhore. Përfshirja e të gjithë subjekteve politike do të ishte e domosdoshme, sidomos pas raportit të OSBE-ODIHR/it.

Ky është një komision ku vota nuk ka vlerë, mjafton mirëkuptimi i dy bashkëkryetarëve. Çdo subjekt politik, nuk ka të drejtë vote. Komision pa të drejtë vote, është një histori që është përsëritur e ka prodhuar kode që asnjë palë nuk i ka njohur përpara se të vijë në sallën e votimit, deklaroi Mediu.