Aktorja Blake Lively ka reaguar publikisht pasi gjykata hodhi poshtë shumicën e akuzave në padinë e saj ndaj Justin Baldoni, duke theksuar se beteja e saj ligjore është larg përfundimit.
Në një mesazh të ndarë në rrjetet sociale, ajo u shpreh mirënjohëse që disa nga akuzat më të rëndësishme, përfshirë ndihmën dhe inkurajimin në hakmarrje dhe shkeljen e kontratës, do të shqyrtohen nga një juri muajin e ardhshëm.
Gjëja e fundit që kam dashur ndonjëherë ishte një padi, por u detyrova ta bëj për shkak të hakmarrjes së përhapur me të cilën jam përballur
-shkroi ajo, duke shtuar se vendimi i gjykatës duhet të shërbejë si një mesazh se njerëzit nuk duhet të kenë frikë të flasin.
Aktorja ngriti gjithashtu shqetësimin për atë që e cilësoi si “dhunë dixhitale”, duke paralajmëruar se minimizimi i rasteve të tilla si “dramë showbizi” është i rrezikshëm.
Dhimbja është reale. Është abuzim dhe është kudo
-theksoi ajo.
Si nënë e katër fëmijëve, Lively bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj sigurisë online, duke theksuar se fëmijët janë ndër më të rrezikuarit nga sulmet dhe presioni në hapësirën dixhitale.
Padia ndaj Baldonit nisi në fund të vitit 2024, fillimisht me akuza për ngacmim seksual dhe shpifje. Megjithatë, gjykata rrëzoi pjesën më të madhe të tyre, duke lënë në fuqi vetëm disa pretendime që tashmë pritet të diskutohen në gjyq.
Pavarësisht zhvillimeve, Lively është e vendosur të vazhdojë përballjen:
Nuk do të ndalem kurrë së luftuari për të ekspozuar ata që përpiqen të dëmtojnë dhe të heshtin të tjerët. Është një privilegj të mund të ngrihem, dhe nuk do ta shpërdoroj.
Deklaratat e saj kanë rikthyer vëmendjen te ndikimi i presionit dhe sulmeve online në jetën reale, duke e kthyer këtë çështje nga një betejë ligjore në një debat më të gjerë shoqëror.