Skandali i puthjes me kamera në koncertin e Coldplay-t nuk ka mbaruar ende. “The Times” shkruan se jo vetëm Kristin Cabot, ish-menaxhere e burimeve njerëzore në Astronomer dhe Andy Byron, ish-drejtor ekzekutiv i kompanisë ishin në stadiumin Gillette në Massachusetts. Këtu vjen “bomba”.
Edhe bashkëshorti i saj, Andrew Cabot paska qenë në koncertin ku Kristin me shefin e saj po përjetonin momente intimiteti. Andrew nuk ka qenë vetëm, por me një grua tjetër, e cila tani është e dashura e tij.
Një detaj që e transformoi historinë në një aferë private shumë më komplekse, duke hedhur poshtë idenë e një marrëdhënieje klandestine dhe duke nxjerrë në dritë një ndarje që tashmë po vazhdonte.
Më 16 korrik, gjatë turneut Music of the Spheres, kamerat kapën Kristin Cabot-in dhe Andy Byron-in duke u përpjekur të shmangnin vëmendjen publike.
Ata ose janë në një lidhje ose janë thjesht shumë të turpshëm, pati komentuar me shaka vokalisti i Coldplay-t, Chris Martin. Videoja u bë virale brenda disa orësh, duke bërë që Byron të jepte dorëheqjen të nesërmen dhe Kristin Cabot të largohej nga kompania ditët në vijim.
“The Times” zbulon: Edhe Burri i Kristinës ishte atje
Kur të gjithë i “qanin hallin” dhe raportonin se Andrew Cabot ishte në Japoni për punë, “Times” zbuloi një të vërtetë tjetër:
Me gjasa ishte në të njëjtin koncert, me partneren e tanishme. Një burim pranë familjes shpjegoi se çifti nuk jetonte bashkë prej javësh dhe se ndarja ka qenë “miqësore”.
Një zëdhënës i Andrew konfirmoi për People se vendimi për divorc ishte marrë para koncertit. Më pas, Kristin paraqiti zyrtarisht kërkesën për divorc, më 13 gusht.
Stuhia mediatike
Ndërsa mbrëmja mund të ketë qenë duke shënuar fillimin e një faze të re personale për Andrew-n, për Kristin, efekti ishte shkatërrues. Sipas People, në tre ditët e para pas publikimit të videos, ajo mori afërsisht 900 kërcënime me vdekje, si dhe incidente ngacmimi e poshtërimi publik.
Për të mbrojtur fëmijët, menaxherja u tërhoq në shtëpinë e saj në New Hampshire, larg vëmendjes. Një burim i afërt me të sqaroi se nuk kishte asnjë lidhje jashtëmartesore, vetëm një përqafim të papërshtatshëm që në kontekstin e publicitetit të lartë u bë një sensacion botëror.