Aktualitet

Nxirrnin gurë dekorativë nga mali i Tomorrit, 3 të arrestuar!

Policia e Beratit ka arrestuar në flagrancë tre persona, të cilët dyshohet se nxirrnin me ekskavatorë gurë dekorativë në zonën e mbrojtur të Malit të Tomorrit. Policia njofton se pas kontrolleve të ushtruara një ditë më parë, prangosi shtetasin me iniciale B.L., 49 vjeç, (administrator subjekti), F.L., 42 vjeç, (vëllai i administratorit) e Sh.L., 43 vjeç, (kushëriri i tij), që të tre banues në Berat.

Sipas policisë gjatë kontrollit në zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit, janë konstatuar duke larguar mjetin ekskavatorë, të cilin dyshohet se e përdornin për të nxjerrë gurë dekorativë.

Po ashtu janë shpallur në kërkim 5 administratorë subjektesh të tjerë, konkretisht shtetasit L. Q., E. Q., B.L., D. L., dhe N. T., pasi dyshohet se kanë nxjerrë pllaka guri dekorative, në zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit.

Gjithashtu janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasit L. H., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i AZDM Berat, dhe F. N., 55 vjeç, (specialistë në AZDM Berat), të dy banues në Berat.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura”, “Fshehje të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave”.