Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se të paktën 1.760 palestinezë janë vrarë teksa po kërkonin që të merrnin ndihma humanitare në Rripin e Gazës që prej fundit të majit. “Që nga 27 maji e deri më 13 gusht, ne kemi regjistruar të paktën 1.760 palestinezë të vrarë teksa po kërkonin të merrnin ndihma. Prej tyre, 994 u vranë në afërsi të qendrave të Fondacionit Humanitar për Gazën [GHF] dhe 766 përgjatë rrugëve ku kalojnë kamionët me ndihma. Shumica e këtyre vrasjeve u kryen nga ushtria izraelite”-tha zyra e agjencisë së OKB-së për territoret palestineze.
Më 1 gusht, kjo zyrë kishte raportuar për 1.373 të vrarë. Përditësimi i të dhënave vjen pasi agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se të paktën 23 persona u vranë nga Izraeli të premten, përfshirë 12 persona të cilët po prisnin për ndihma humanitare. Më herët gjatë javës, shefi i ushtrisë izraelite tha se janë miratuar planet për ofensivën e re në Gazë. Ofensiva ka për synim mposhtjen e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja dhe lirimin e pengjeve të mbetura.