Olivia Attwood ka folur hapur për qëndrimin e saj ndaj kirurgjisë plastike dhe mënyrën se si familja Kardashian-Jenner e ka menaxhuar transparencën lidhur me ndërhyrjet e tyre estetike.
Në një intervistë për “The Sun”, ish-konkurrentja e “Love Island” u shpreh se pranimi i vonuar i Kylie Jenner për operacionin e gjoksit ishte “shumë pak dhe shumë vonë”.
Unë kam folur për operacionin tim të gjoksit për më shumë se dhjetë vite. Nuk kam patur asgjë për të fshehur
-tha Olivia, e njohur për qasjen e saj të drejtpërdrejtë dhe të hapur ndaj procedurave estetike, shkruan “Daily Mail”.
Ajo theksoi se përveç ndërhyrjeve të dukshme si mbushja e buzëve apo zmadhimi i gjoksit, është e rëndësishme që të diskutohet hapur edhe për procedurat më të fshehta si liposuksioni apo BBL (Brazilian Butt Lift).
Trupat e tyre nuk krijohen në palestër
Olivia kritikoi gjithashtu faktin që disa personazhe publikë përfitojnë financiarisht duke promovuar produkte për humbje peshe, ndërkohë që ndryshimet në pamjen e tyre janë rezultat i ndërhyrjeve kirurgjikale.
Gjatë intervistës, ajo zbuloi se përvoja e saj me një program televiziv mbi kirurgjinë estetike i ka hapur sytë për rreziqet dhe të vërtetat e fshehura pas këtyre procedurave.
BBL është e vetmja ndërhyrje që nuk do ta bëja kurrë. Është tepër e rrezikshme dhe ka një nga përqindjet më të larta të ndërhyrjeve korrigjuese
-u shpreh ajo.
Ndërkohë, Kylie Jenner së fundmi pranoi publikisht se kishte bërë zmadhimin e gjoksit në moshën 19-vjeçare, duke zbuluar edhe emrin e kirurgut të saj, Dr. Garth Fisher, një emër i lidhur prej kohësh me familjen Kardashian.
Deklaratat e Olivia Attwood kanë rindezur diskutimet për nevojën e më shumë ndershmërisë dhe ndërgjegjësimit lidhur me ndikimin e kirurgjisë estetike te shëndeti mendor, vetëvlerësimi dhe imazhi trupor – veçanërisht kur këto ndërhyrje promovohen nga figura me ndikim botëror.